Sektori i prodhimit dhe sidomos industria përpunuese janë në vështirësi prej dy vitesh, për shkak të efekteve negative që dha rënia e Euros dhe rritja e kostove të brendshme. Si rrjedhojë, dhjetëra biznese të mëdha në sektor kanë falimentuar vitin e kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i ndërmarrjeve me mbi 50 punonjës në sektorin e industrisë ka shënuar rënie vjetore me 5.3% vitin e kaluar, ku vërehet se 29 ndërmarrje e kanë mbyllur aktivitetin.
Burimet nga tregu bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e falimenteve ka qenë në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve. Përveç faktorëve të brendshëm, fabrikat janë ndikuar nga rënia e kërkesës në tregjet e eksportit.
Falimentet në sektorin e industrisë pritet të jenë edhe më të larta këtë vit, pasi në muajt e parë u shkëputën shumë kontrata me klientët që ishin mbajtur me vështirësi në tremujorin e fundit 2023.
Fabrikat shqiptare u përballën me një kërkesë jo të zakontë pas pandemisë. Kërkesa e fortë për mallra pas heqjes së kufizimeve nga pandemia Covid-19 më 2021 nxiti hapjen e njësive të reja të prodhimit. Fabrikat shpesh kishin kërkesë për mallra dy deri në tre herë më shumë se kapacitetet e prodhimit.
Shumë prej tyre bënë investime në teknologji dhe u zgjeruan më tej, teksa një vit më vonë klima e biznesit u përkeqësua kryekëput. Rënia e euros ka qenë shkaktari kryesor. Në viti 2021 e deri aktualisht, Euro ka humbur 23% të vlerës në këmbim të lekun, çka tregon se në masë të ngjashme janë ulur fitimet e eksportuesve të cilët shesin në Euro por pagat dhe taksat dhe shumë lëndë të para i paguajnë në Lek.
Fillimi i luftës në Ukrainë e përkeqësoi më shumë situatën. Inflacioni i lartë dhe pasiguritë gjeopolitike u rritën më tej me luftën në Rripin e Gazës, duke bërë që kërkesa për prodhime në Shqipëri të ulej fort.
Fabrikat shumë të mëdha të prodhimit pavarësisht se po kalojnë një periudhë të vështirë që i ka zhytur edhe në borxhe do të vazhdojnë aktivitetin. Fabrikat në segmentin mbi 200 punonjës duket se, po e përballojnë disi krizën duke shpresuar për përmirësim.
Kjo krizë, më e forta e 15 viteve, i ka vënë bizneset para zgjidhjeve të vështira. Njësitë e vogla po mbyllen dhe po shkojnë drejt sektorëve të tjerë si turizmi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe industria ushqimore, ndërsa fabrikat e mëdha po përshtaten duke kaluar në segmente me vlerë të lartë të prodhimit dhe duke shkurtuar kostot e brendshme nëpërmjet rritjes së produktivitetit.
Më të cenuarit duket se janë punonjësit, të cilët kanë kaluar në mbi 20 vite duke qepur këpucë dhe e kanë të vështirë të përshtaten në sektorë të tjerë.
Marre nga Monitor
The post 29 biznese me mbi 50 punonjës në sektorin e industrisë kanë falimentuar më 2023 appeared first on Gazeta Standard Online.