Edhe pse ishte ndër më të votuarit në primaret e Partisë Demokratike, demokrati Ilir Alimehmeti u la jashtë listës së mbyllur. Lidhur me këtë vendim të Kryesisë, Alimehmeti tha në një intervistë në Klan News se ai ka qenë gjithmonë pro listave të hapura.
“Unë kam qenë gjithmonë pro listës së hapur edhe në total. Kur në Korrik u vendos reforma zgjedhore ashtu siç u vendos me këtë listën e hapur, listën e mbyllur e me radhë, kam thënë shumë qartë se ka qenë jashtë pritshmërive të njerëzve.
Patjetër edhe për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ishte pro listës së hapur që “de fakto” hapi listën dhe pastaj në Korrik erdhi ligji dhe u vendos ashtu siç u vendos. Por këto janë rregulla loje, pra ne një ligj mund të na pëlqejë ose jo, mua nuk më pëlqente.
Unë e doja krejt të hapur, por megjithatë ne do t’i zbatojmë ligjet, pra jemi në një parim ku sundon shumica dhe duhet t’i bindesh asaj gjëje. Unë gjithmonë kam pasur interes dhe kam parë sfidat e vështira dhe ju kam dalë përballë, me Covid e me rradhë. Lista e hapur është sërish një sfidë e vështirë, nuk e diskutoj. Lista e hapur është meritokraci e plotë”, – shprehet Alimehmeti.
Megjithatë ai tha se Kryesia e PD duhet ta shpjegonte më qartë se pse morri këto vendime.
“Kryesia duhet ta shpjegonte më qartë këtë se pse morri këto vendime. Unë mendoj që Kryesia kishte hapësirë për ta shpjeguar, por ishte tagër i saj, tagër që ja dhamë edhe ne me vendim të Këshillit Kombëtar”, – theksoi Alimehmeti. ©LAPSI.al
The post Alimehmeti: Jam pro listave të hapura, por kryesia e PD duhet të shpjegonte vendimet appeared first on Lapsi.al.