Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar nga burgu i Fierit lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku tre persona humbë jetën.
Salianji përmes një letre shprehet se humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm mes qytetit është tragjedi. Ai tha se ngjarja ishte e paralajmëruar, pasi sipas tij policia nuk reagoi pas kërcënimin me vdekje që iu bë Arlind Bushatit sepse është e pafuqishme ta parandalojë krimin.
Salianji shkruan se degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin.
REAGIMI I SALIANJIT:
Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve.
Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varesi te kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojē vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!
Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do ti çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!
The post Atentati me 3 viktima në Shkodër, Salianji: Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar! appeared first on Albeu.com.