Shprehjet e mençura nuk janë trashëgimia e vetme që gjyshet i kanë lënë Edi Ramës. Një ngastër toke që vlen miliona euro në Vuno mund të jetë arsyeja që kryeministrit i duken aq të vyera këshillat e të parëve.
Zbulimi i pasurisë që Rama ka trashëguar nga të parët në zonën e bregut u bë publik në formën e një denoncimi nga opozita, që thotë se ka gjetur disa parregullsi në kthimin e pronës së Kolekajve, kushërinjtë e kryeministrit nga nëna.
Përpjekjet për ta rimarrë pronën e trashëguar në Vuno, deri tani kanë rezultuar të suksesshme, por sipas zyrtarëve të PD-së, Ivi Kaso dhe Eno Bozdo ky sukses i dedikohet pozitës së Edi Ramës si kryeministër. Për të provuar konfliktin e interesit dhe shpërdorimin e detyrës, opozita publikoi disa të dhëna në një konferencë këtë të premte.
Edi Rama mohoi përpjekjet për të përfituar trashëgiminë
Nga selia e PD, Ivi Kaso dhe Eno Bozdo e nisën denoncimin me një video të shkëputur nga takimet e Edi Ramës në Himarë, kur kryeministri shpërndan AMTP për banorët dhe ku pranon se ai vetë nuk ka pasur asnjë pretendim për pronat e paraardhësve të tij nga ajo zonë.
“E njoh mirë unë këtë zonë. E kam në gjak”, dëgjohet të thotë Rama në video duke vazhduar “Dhe ia di tërë historitë. Tërë historitë. Kështu që mund të flisni çfarë të doni me ndonjë që vjen nga Durrësi dhe s’di ç’bëhet. Por e njoh mirë. Dhe e di mirë se ça janë këtu edhe konfliket e pronës brenda për brenda familjeve. Fatmirësisht unë vetë dhe e ndjera ime më nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Asgjë! Ju e dini shumë mirë se ku e kemi rrënjën këtu. Asgjë! Kurrë! Asnjë metër katror! Por ama kjo nuk do të thotë që nuk di historinë. Edhe të pronës sonë atje. Edhe të pronave të tjera. Dhe të kushërinjve, edhe të fëmijëve të kushërinjve! Dhe të nipave dhe mbesave të kushërinjve, edhe të krushqve e të të gjithëve. E di mirë! Kështu që t’i ndajmë gjërat. Ça është e shtetit, është e shtetit! Ça është e jotja është e jotja! Ça është e krushkut, është e krushkut!”
Pohimi i Ramës nuk është i vërtetë, thotë opozita. Vetë Rama është pjesë pretendimeve për kthimin e pronave të të parëve, bashkë me vëllain e tij, Olsi Rama. Mohimi që i bën pronës, para qytetarëve të Himarës nuk qëndron.
Sipas opozitës, Rama ka gënjyer sepse rikthimi i pronës për familjen Koleka ka qenë një proces problematik, por që është ndihmuar nga vendimet e qeverisë që ai drejton.
Pronës së gjyshit në Vuno i mungonin dokumentat
Në Gusht të vitit 2021, Kadastra nxori emrat e përfituesve nga regjistrimi i pronave në jug. Mes tyre ishin pjestarë të fisit Koleka, ku dallohej emri i Aneta Ramës, që bën direkt përfitues Edi dhe Olsi Ramën. Por procesi i kthimit të pronës kishte qenë me probleme.
Aplikimi për kthimin e pronës kishte nisur në vitin 2017 në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, që në atë kohë kishte refuzuar kthimin. Shkak ishte mungesa e aktit të shpronësimit nga regjimi komunist dhe i dokumentave të pozicionimit hartografik të pronës.
“Në pamje të parë mund të duket sikur janë dy dokumenta burokratikë që mungojnë”, – thotë Ivi Kaso në konferencë, por sipas tij ky është dokumenti thelbësor në procedurë. Mijëra familjeve të tjera u është refuzuar kthimi i pronës në rastet kur nuk kanë pasur këto dokumenta.
“Vendimi i shpronësimi në rastetet e trajtimit të kërkesave për kthim dhe kompensim prone, është dokumenti thelbësor, sepse vërteton në mënyrë të pakundërshtueshme që pretenduesit e një prone të caktuar kanë qenë pronarë të pronës deri në momentin kur është shpronësuar nga regjimi komunist në 44” shpjegoi Kaso në denoncimin nga selia e PD.
Mungesa e këtij dokumenti, të shpronësimit nga regjimi komunist, ishte bërë shkak që Agjencia e Trajtimit të Pronave të refuzonte kërkesën e Kolekajve.
Por Rama dhe kushërinjtë e tij nuk janë dorëzuar. Ata iu drejtuan gjykatës së Vlorës e cila u dha të drejtë. Vetëm se në gjyqin që u bë në Vlora, opozita zbuloi disa detaje që ngrenë hije dyshimi për procesin.
Në gjyq, përballë Kolekajve shteti tërhiqet
Kur familja e kryeministrit Rama iu drejtua gjykatës së Vlorës për pretendimin e trashëgimisë në Vuno, përballë kishte disa institucionet shtetërore që pretendonin të kundërtën.
Por në gjyq, nuk u doli përballë asnjë përfaqësues i shtetit. Të institucionet shtetërorë e braktisën gjyqin.
“Duke filluar nga Agjëncia e Trajtimit të Pronës, nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave nuk guxuan të marrin pjesë në gjyq. Të gjitha këto institucione shtetërore e lanë gjyqin në mungesë. Nuk u paraqitën asnjëherë në mbrojtje të interesit shtetëror. I vetmi institucion që mori pjesë një herë dhe në dy seanca, por e la pastaj në mungesë, ishte Avokatura e Shtetit që formalisht mbrojti vendimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, por që as vetë Agjencia nuk e mbrojti në përballje me trashëgimtarët e familjes Koleka, me kushërinjtë e afërt të kryeministrit Rama.”
Sipas Ivi Kasos, tërheqja e institucioneve shtetërore ndodhi sepse në krye të qeverisë ishte Edi Rama. Me mungesën e tyre, ata i hapnin rrugë regjistrimit të pasurisë së Ramës dhe të kushërinjve të tij në Vuno.
Ligjet dhe vendimet e qeverisë lehtësuan marrjen e pronës në Vuno
Ivi Kaso tha se që nga viti 2016 deri në vitin 2020, mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama hartoi ligje dhe mori vendime që lehtësonin procedurat për kthimin e pronës që ai e kishte të trashëguar nga nëna në Vuno. Sipas opozitës, janë dy ligje të miratuar në parlament dhe 8 vendime të qeverisë Rama që përshpejtuan procesin e kthimit të pronës së Kolekajve në bregdet. (VIDEO KETU)
Kaso citoi disa ligje dhe VKM që tha se janë miratuar enkas për pronën në Vuno.
“Pra çfarë bënte kjo kornizë ligjore, ky kuadër ligjor? Në radhë të parë lehtësonte trajtimin të këtyre lloj dosjesh nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pra e bënte më të lehtë njohjen dhe kthimin e këtyre lloj pronave, në mungesë edhe të dokumentacionit të rëndësishmë ligjor siç ka qenë kuadri ligjor i mëparshëm” u shpreh Kaso në analizën që i bëri denoncimit.
SPAK gabon kur arreston Berishën apo kur nuk arreston Ramën?
Sipas akuzës që i bën SPAK Sali Berishës, ky i fundit ka favorizuar dhëndrin, Jamarbër Malltezin me vendimet e qeverisë dhe ligjet që ka miratuar mazhoranca e PD. Në këtë linjë është edhe denoncimi i Partisë Demokratike për Edi Ramën dhe pronën e tij në Vuno.
Opozita heq disa paralele mes çështjes së kthimit të pronave tek ish-kompleksit Partizani, që po mban në arrest shtëpie ish-kryeministrin Sali Berisha dhe përpjekjes së vëllezërve Rama për të marrë tokat e lëna trashëgimi nga stërgjyshi në Vuno.
Në reagimin që pati për denoncimin e Partisë Demokratike, Rama la të kuptohet se nuk ka pasur asnjë diferencim për pronën e familjes së tij në Vuno. Sipas tij është e pamundur të heqësh një paralele “mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë”.
Por duke paralajmëruar një padi për shpifje, kryeministri shtoi se “duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë”.
Gazetarët e pyetën Ivi Kason që kishte hartuar denoncimin nëse SPAK ka gabuar me ndjekjen penale ndaj ish-kryeministrit Berisha apo po gabon me mosndjekjen penale ndaj kryeministrit Rama? Përgjigjia e tij, ishte se prokurorët duhet të arrestojnë Edi Ramën dhe të ruajnë të njëjtin standart me hetimet e tyre.
“Ne i kërkojmë të hetojë! Ne i kërkojmë të mbajë të njëjtin standart! Nëse ka dyshime të arsyeshme që e zvarrisin hetimin e ish presidentit, ish-kryeministrit, sot liderit të opozitës, Sali Berisha për më shumë se 4 vjet dhe e detyrojnë SPAK-un që për interes të hetimit ta mbajë të burgosur politik, të mbyllur në shtëpi për 8 muaj, SPAK të gjejë kurajon ta aplikojë edhe në rastin e kryeministrit Z.Rama, kur i gjithë shteti u vu në funksion të përfitimit të kësaj pasurie” tha Kaso./Lapsi.al
The post Denoncimi/ Ç’po bën Rama për të marrë pronat e gjyshes! appeared first on Lapsi.al.