Një argjendari në Kamëz është grabitur ditën e sotme nga tre persona të maskuar. Autorët e grabitjes kanë arritur të marrin nga aty disa bizhuteri dhe flori, vlera të cilave ende nuk dihet dhe më pas janë larguar.
“Më datë 28.11.2023, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, tre persona të maskuar, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri automatik, kanë marrë disa bizhuteri në argjendarinë e shtetases E. S., dhe më pas janë larguar me një automjet tip “BMW”.
Shërbimet Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pikat e përkohshme të kontrollit në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Shkodër.
Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor me specialistë të strukturave të posaçme të luftës kundër krimeve të rënda.
Grupi hetimor mbi bazën e të dhënave të administruara po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje”-njoftoi policia.
Një nga autorët sipas dëshmisë së pronares ka pasur dialekt jugor ndërsa të tre grabitësit kanë arritur të marrin rreth 1 kilogram flori nga argjendaria.
Raportohet se targat që janë vendosur në automjetin tip BMW X6, që u përdor për arratisjen e tyre, i përkasin një automjeti tjetër tip Hyundai.
Mësohet se këto targa ishin kopjuar nga autorët dhe ishin vendosur në automjetin që u përdor gjatë grabitjes. Fillimisht autorët besohet se kanë ardhur nga Fushë Kruja dhe më pas janë larguar në drejtim të Laknasit.
The post Grabitet me armë zjarri një argjendari në Kamëz, tre persona të maskuar vjedhin 1 kilogram flori dhe largohen appeared first on Shekulli.