Rinumërimi i votave të qarkut të Fierit po pritet me interes duke qenë se ai i Tiranës nuk prodhoi asgjë. Në këtë qark PS mori si asnjëherë tjetër 12 deputetë ndërsa 4 shkuan për PD-në.
Ai që i shkoi afër zgjedhjes si deputet është Azmer Duleviç që udhëheq koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe që shpreson të rikuperojë 519 vota për të marrë një mandat në Kuvend.
Por nga hapja e 230 kutive këtë të hënë ose gati 40% e 587 kutive që janë për t’u hapur është vënë re se PS-së në 11 maj i “është ngrënë haku” me 22 vota ndërsa “Nisma Shqipëria Bëhet” ka 5 vota më shumë nga sa i takojnë.
Pra diferenca ka zbritur në rreth 500 vota që PS të humbë mandatin e 12-të. Ndërsa që PD të marrë mandatin e pestë duhet që të rikuperojë rreth 6300 vota më shumë nga rinumërimi ose PS të ketë rreth 19,000 vota më pak. Kjo duket krejtësisht e pamundur duke parë që deri tani PD-së i janë hequr 69 vota si të marra padrejtësisht.
Përveç “luftës” mes partive ka edhe një tjetër “beteje” brenda socialistëve. Zegjine Çaushi dhe Maldita Bardho dolën nga numërimi i 11 majit me një diferencë prej 64 votash për të parën që shkoi në Kuvend.
Zegjine Çaushi e ka forcuar mandatin me 5 vota të tjera plus, që i shtohen nga rinumërimi, ndërsa Bardho ka humbur 39 vota. Në anën e PD diferenca mes kandidatëve në listë të hapur nuk do të ketë efekt në mandate pasi ata nuk arritën të plotësonin as listën e mbyllur. ©LAPSI.al
The post Hapet 40% e kutive të Fierit/ A po e rrezikon PS mandatin e 12-të? appeared first on Lapsi.al.