Shteti serb në maj të vitit 1999 organizoi një krim të planifikuar mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës. Ky burg i sigurisë së lartë (në atë kohë), gjatë luftës së fundit në Kosovë përdorej edhe si vend strehimi i forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë.
Pushteti pushtues serb kishin informata se do të bombardohej kompleksi ku qëndronin këto forca, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës ishin dërguar të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë, ata të vriten nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj NATO-n.
“Në orët e hershme të mëngjesit, të 22 majit 1999 kur pëllëmba e agimit ende nuk kishte shkërmoqur terrin e natës, sirena e trishtuar e Burgut të Dubravës shpërtheu në ecje, dërgoi një sinjal alarmant tek ata që hanin ëndrrat në vetmi dhe frikë. Të burgosurit, rreth 960 në numër, u urdhëruan të mblidheshin në fushën e sportit – një skenë që parapriu një prej ngjarjeve më tronditëse në masakrën e Dubravës”. Kështu e nis rrëfimin e tij i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Isak Hoti nga Ratkoci i Rahovecit, 24 vite pas përjetimit të ditëve të kobshme, të majit 1999.
“Nga karakolli (vronjtorja) e burgut na shikonin me armët të drejtuara drejt të burgosurve, të cilët nuk bëzanin. Aty kishte policë, gardianë, civilë të armatosur, të cilët i mbanin pushkët automatike, mitralozët, snajperët, minahedhësit dhe armët tjera të gatshme për të hapur zjarr”, tha ai.
Ashtu siç i kanë urdhëruar ata qëndronin në rresht në këmbë. Një heshtje e dendur mbuloi fushën për disa çaste, derisa zhurma e parë e të shtënave tërboi ajrin dhe nisën të binin trupat.
“Për një çast kanë nisur të shtien mbi të burgosurit që ishin në terrenin e sportit. Britmat dhe klithmat e njerëzve dëgjoheshin thekshëm. Njerëzit përpëliteshin dhe kërkonin ndihmë, sepse plumbat binin pa pushim mbi trupat e tyre, dhe ata digjnin kur nguleshin në mishin e njeriut. Shumica vdiqën pa pasur mundësi t’ju ndihmojë njeri. Ishte një situatë kur nuk e dije se nga të ruheshe dhe nga të shkoje. Gjithandej serbë të armatosur dhe armë që villnin zjarr pa pushim”, tha ai me zërin e tij të dridhur”, shprehet ai.
Përderisa të tjerët vraponin për të shpëtuar jetët e tyre, Hotit tha se qëndronte i shtrirë në tokë duke shikuar tmerrin me sy.
“Atëherë dikush thërriste që të shtrihemi në tokë dhe të provojmë t’ia mbathim nga aty. Pasi qëndrova pak çaste me kokë në tokë vjedhurazi shikova anash dhe pashë se disa po vraponin drejt godinës së kuzhinës për të shpëtuar kokën. Ndërkohë plumbat dhe granatat e dorës hidheshin pa pushim mbi të burgosurit e pambrojtur. Disa që nuk ishin goditur po vraponin me nxitim drejt ndërtesës, ndërsa të plagosurit të shtrirë në tokë thërrisnin për ndihmë. Askush nuk mund t’i ndihmonte askujt në atë moment”.
Mirëpo, si edhe të tjerët edhe Hoti tha se u ngritë shpejt dhe nisi të vrapoj drejt kuzhinës.
“Gjatë atij vrapimi shihja anash dhe para meje kur njerëzit binin të pajetë ose të plagosur në tokë. Tërhiqeshin zvarrë drejt kuzhinës sepse e donin jetën. Në ato çaste njeriu nuk mendon për asgjë, vetëm pret momentin kur ndonjë plumb i nxehtë të të ngulet në trup. Një plumb më përshkoi bluzën time dhe e goditi një shok që ishte pranë meje në krah. Ishte H. Sh. Arrita ta kapja që të mos rrëzohej e të mbetej aty. E tërhoqa deri në hyrje të kuzhinës. Për një çast shpëtuam, por nuk e dinim se çfarë do të ndodhte më pas, sepse ne ishim duarthatë, ndërsa ata posedonin gjithë atë arsenal armësh”, tregoi ai.
Hoti tha se ata që mbijetuan u mblodhën në bodrumin e kuzhinës dhe përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit.
Por, ai tregoi se nuk kishin me çka t’u lidhnin plagët që u kullonin gjak pa pushim.
“Dikush i shqyente rrobat e trupit dhe ia lidhte dikujt plagën, por ishte e vështirë ta mjekoje dikë pa asnjë mjet mjekësor”.
“Nuk më hiqet nga mendja asnjëherë një djalosh nga Hani i Elezit, Suad Brava e quanin, të cilit granata ia kishte çarë barkun dhe zorrët i kishin dalë jashtë. Shokët e tij nga Hani Elezit, mbanin me radhë barkun e tij, deri sa në orët e para të mëngjesit dha shpirt. Ishte vetëm 17 vjeç”, tregoi ngjarjen e dhimbshme Hoti.
Ndërkohë që të mbijetuarit pranuan realitetin e skalitur në murin e bodrumit të kuzhinës, gardianët vazhduan patrullimin e tyre vdekjeprurës, duke ekzekutuar me gjakftohtësi ata që kishin gjetur strehë në skutat e ndërtesave dhe kanalizimeve.
“Disa të burgosur ishin futur në pusetat e kanalizimit, të tjerët në pavione e skuta të tjera, ndërsa gardianët shkonin afër tyre dhe me gjakftohtësi i qëllonin për vdekje.
Tmerri që përjetuam në burgun e Dubravës nuk më hiqet nga koka asnjëherë. Pamë teksa vdisnin njerëzit pa pasur mundësi t’iu ndihmonim. Snajperistët e qëllonin secilin që provonte të dilte në fushë të sportit për ta marrë ndonjë shok të plagosur, që thërriste për ndihmë. E gjithë fusha u mbush me kufoma.
Si ta quajmë këtë; masakër, vrasje me paramendim, ekzekutim me gjakftohtësi, krim kundër njerëzimit… Mbase më mirë i shkon; çmenduri njerëzore”, përfundoi rrëfimin e tij, i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Isak Hoti. /Telegrafi
The post I mbijetuari Isak Hoti e quan çmenduri njerëzore masakrën e Dubravës appeared first on Albeu.com.