“Partia e Lirisë” e ekstremit të djathtë në Austrisë po shkon drejt një fitoreje të paprecedentë në zgjedhjet e përgjithshme nën udhëheqësin Herbert Kickl. Projeksionet, bazuar në rezultatet fillestare, i japin partisë së Kickl 29.2%, pothuajse 3 pikë më shumë se Partia Popullore konservatore me 26.3%, por ende shumë larg shumicës për krijimin e qeverisë.
“Partia e Lirisë” (FPÖ) ka qenë në koalicion më parë, por Partia Popullore konservatore e vendit të dytë ka refuzuar të marrë pjesë në një qeveri të udhëhequr nga ata. Rivali kryesor i Kickl, kancelari aktual Karl Nehammer i Partisë Popullore (ÖVP), ka thënë se është “e pamundur të formohet një qeveri me dikë që adhuron teoritë e konspiracionit”.
Rreth 6.3 milionë austriakë kishin të drejtë të votonin në një garë të dominuar nga çështjet e migrimit dhe azilit si dhe nga inflacioni dhe lufta në Ukrainë. Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Michael Schnedlitz u shpreh i kënaqur me parashikimet fillestare, duke deklaruar se “burrat dhe gratë e Austrisë kanë bërë histori sot”.
Ai refuzoi të thoshte se çfarë lloj koalicioni do të përpiqej të ndërtonte partia e tij. Ata janë në rrugën e duhur për të siguruar rreth 57 vende në parlamentin me 183 vende, me konservatorët në 51 ulëse dhe socialdemokratët me 40 mandate.
Lideri i zjarrtë i Partisë së Lirisë, Herbert Kickl, u ka premtuar austriakëve se do të ndërtojnë “Fortesën e Austrisë”, për të rivendosur sigurinë, prosperitetin dhe paqen e tyre. Ai ka folur gjithashtu për t’u bërë Volkskanzler (kancelar i popullit) që për disa austriakë mbart jehonën e termit për të përshkruar Adolf Hitlerin në Gjermaninë naziste.
Formimi i një koalicioni ka të ngjarë të jetë i ndërlikuar për Herbert Kickl, i cili është një figurë përçarëse. Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe Neos kanë përjashtuar të gjithë një partneritet me të djathtën ekstreme. I vetmi koalicion i mundshëm që partia e Kickl mund të krijojë është me konservatorët, megjithëse Partia e Lirisë do të duhet të gjejë një zgjidhje për refuzimin e Partisë Popullore për të pasur Kickl si kancelar.
Kur Partia e Lirisë e Geert Wilders fitoi zgjedhjet në Holandë nëntorin e kaluar, ai hoqi dorë nga dëshira e tij për t’u bërë kryeministër në mënyrë që tre parti të tjera të binin dakord për të formuar një koalicion. Megjithatë, Kickl dëshiron të bëhet kancelar, duke u premtuar austriakëve se do të veprojë si “shërbëtor dhe mbrojtës” i tyre.
Analisti politik Thomas Hofer tha për BBC se nuk ishte aspak e qartë se presidenti austriak Alexander Van der Bellen, i cili mbikëqyr formimin e qeverisë, do t’i jepte Kickl një “mandat të drejtpërdrejtë për të formuar një koalicion”. Van der Bellen ka shprehur rezerva në të kaluarën për FPÖ për shkak të kritikave të saj ndaj BE-së dhe refuzimit të saj për të dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Kjo parti kundërshton sanksionet e BE-së ndaj Moskës, duke përmendur neutralitetin e Austrisë.
Fitorja e Kickl është suksesi i radhës për partitë radikale të krahut të djathtë në Evropë. Giorgia Meloni e Italisë kryeson një koalicion të krahut të djathtë ndërsa AfD e Gjermanisë kryesoi sondazhet në shtetin lindor të Turingisë muajin e kaluar. Ndryshe nga Kickl, kryeministrja e Italisë i ka dhënë mbështetjen e saj të plotë për mbrojtjen e Ukrainës përballë pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
Kickl gjithashtu ka shfrytëzuar frikën për imigracionin në Austri dhe zemërimin për trajtimin e pandemisë së Covid nga qeveria, duke përqafuar teoritë e konspiracionit rreth trajtimeve të paqarta për virusin. ©LAPSI.al
LEXO EDHE: Profil në “The Guardian”: Kush është fytyra e vërtetë e Giorgia Meloni
The post Ku po shkon Europa? E djathta ekstreme, drejt fitores së zgjedhjeve në Austri appeared first on Lapsi.al.