Të paktën 10 persona janë shoqëruar nga policia e Shkodrës për atentatin e pasdites së kësaj të mërkure në këtë qytet. Ata janë thirrur në komisariat për t’u pyetur nëse kanë dijeni për ngjarjen. Mes tyre ka qenë edhe Safet Bajri, i cili pas dhënies së deklaratës është larguar sërish për në banesën e tij.
Si ndodhi ngjarja
3 persona humbën jetën dhe 1 është i plagosur në spital nga ajo që ndodhi në lagjen Dobrac të këtij qyteti. Persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj makinës ku udhëtonte 32-vjeçari Arlind Bushati dhe Hamza Lici, 23 vjeç. I pari është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidatit të PD-së për kryetar bashkie në 2022. Më herët, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë Hamza Lici, vëllai i vogël i “të fortit” të Shkodrës, Ibrahim Lici i konsideruar nga autoritetet si i shumëkërkuar i policisë.
Ndaj tyre hapën zjarr persona që gjendeshin në një makinë tip Range Rover që më pas u gjet e djegur në afërsi të fshatit Golem. Brenda saj ndodheshin edhe 2 automatikë që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Duke u përpjekur që t’u shpëtonin plumbave, Lici dhe Bushati kanë devijuar makinën, por fatkeqësisht kanë goditur një motoçikletë ku udhëtonin një çift.
Për pasojë humbi jetën 56-vjeçarja Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj, 67-vjeçari Bashkim Basha po lufton për jetën në spital. Është e paqartë kush ishte shënjestra, 23-vjecarin Lici apo 32-vjecarin Bushati. Brenda makinës së tyre policia tha se gjeti 3 pistoleta, por nuk dihet nëse kanë pasur kohë që t’i përdornin.
Në 10 tetor Arlind Bushati u kërcënua teksa po pinte kafe në pedonalen e Shkodrës. Dy persona me motor iu afruan tavolinës dhe kanë nxjerrë një pistoletë, por nuk e kanë qëlluar. Ai bëri denoncim në polici, por motivet nuk dihen dhe autorët nuk janë identifikuar. Bushati nuk ishte person me precedentë penal, por punonte në bizneset e të atit. ©LAPSI.al
The post LAJM I FUNDIT/ 10 të shoqëruar për atentatin në Shkodër appeared first on Lapsi.al.