Sido që ta paketosh një gënjeshtër, ajo sërish do të jetë e shëmtuar dhe do të ketë fundin e vet.
Vendimi për lirimin e liderit të PD-së është demaskimi më i qartë i një akuze politike. E paketuar nga juristë të PS dhe e lexuar nga përkrahës të qeverisë në prokurori, akuzat ndaj liderit të opozitës nuk kishin të bënin me gjetjen e padrejtësive në vendimet e tij, por thjesht me luftën politike ndaj tij.
Që nga kërkesa e parë më shumë se një viti deri tek të gjithë vendimet e gjykatave, të gjitha ishin të sforcuara, duke shpikur e interpretuar nene e paragrafë të ligjeve e kushtetutës, me qëllimin e vetëm të dëmtimit të Sali Berishës, jo si ish-kryeministër, por si lider i sotëm i opozitës. Gjatë këtij viti të izolimit shtëpiak të kryetarit të PD-së, drejtësia e re u furnizua me dosje nga Franca, Belgjika, Gjermania e deri nga Amerika latine, ku eksponentët me të lartë të qeverisë dhe PS bënin pazare me trafikantë kokaine. Ku vrasësit vendosin listat e deputetëve të Edi Ramës. Ku Taulant Balla, denoncuesi i Berishës, del si i paguar nga kartelet e kokainës në Elbasan. Ku Shkodra qeveriset nga kriminelë, që ndajnë toka me firmën e kryeministrit. Gjate kohës që drejtësia e re izolonte Berishën dhe përpiqej të shpikte fakte, në çdo dokument i shfaqej firma e Edi Ramës.
Dhe pas 1 viti, nuk pati më asnjë individ të logjikshëm në vend, nuk pati më asnjë diplomat që rri në Tiranë, asnjë përfaqësues të huaj që mos të kuptonte se vendimi i izolimit të Berishës nuk kishte të bënte me drejtësinë, por me dëshirat politike të Edi Ramës. Sot u vërtetua se prokurorët anti-opozitë, kërkonin bllokimi e liderit të PD-së dhe jo hetimin e ish-kryeministrit Berisha. Sot drejtësia e re, e cila nuk po bën asnjë hetim të vetin ndaj qeverisjes së Edi Ramës, por po mbytet nga përgjimet e vendeve të BE-së, për Edi Ramën dhe vartësit e tij trafikantë, vendosi të paktën të mbronte fytyrën e vet.
E paaftë të zbulojë ndikimin e krimit në politikë, e pamundur të hetojë qeverisjen e rilindjes e ndaluar të arrestojë Edi Ramën, si kryeministrin e qeverisjes më të inkriminuar në botë, drejtësia e re po mundohet të shpëtojë veten. Sot kur rryma politike nga SHBA drejt BE-së po ndryshon qasje. Ku kancelarët që japin miliona euro për “Reformën”, po habiten me pamundësinë e SPAK-ut dhe Gjykatave për hetimin e Edi Ramës, drejtësia e re vendosi të vetëmbrohet. Me shpresën se nuk do të kalojë në filtrat e atyre që paratë e taksapaguesve të BE-së dhe SHBA-së, po i harxhojnë për të mbrojtur krimin në qeverisje.
Por, fryma e re nuk mund të ndalohet. Lirimi i liderit të opozitës është shembulli më i qartë se ajo po vjen edhe në Shqipëri. Sot, Berisha është në ditën e parë të punës si lideri i shumicës së shqiptarëve që nuk bien dakord me krimin në qeveri, me korrupsionin si model, dhe me simbiozën politikë-kokainë që po drejton nga viti 2013. Nuk do të ketë asnjëherë paqe për ata që shitën qeverisjen tek trafikantët e drogës, për ata që shitën vendet e deputetëve tek kriminelët, për ata që shitën ministrat tek vrasësit me pagesë, për ata që shitën drejtësinë e re, të financuar nga qytetarët e BE-së dhe SHBA-së tek Edi Rama.
The post Lirimi i Berishes/ Alizoti: Demaskim i nje akuze politike appeared first on Gazeta Standard Online.