Mandati privat versus mandati publik
Elona Caslli
Çdo individ jetën mund ta jetojë si një mandat privat apo si një mandat publik. Mandati privat është kur një individ nuk merr nismën për të përfaqësuar një bashkësi njerëzish të tjerë përmes një mandati në parlament. Mandati publik është krejt e kundërta.
Megjithatë, qoftë kur ekzistenca jote shtrihet në rrafshin e një mandati publik, qoftë kur shtrihet në rrafshin e një mandati privat, nuk mund të jetë kurrsesi e përsosur dhe ka gjithmonë një veprim apo një ngjarje që ti do të doje të kishte qenë ndryshe.
Krejt e kundërta i ndodh Kryeministrit të Shqipërisë që ka plot 12 vite që ushtron një mandat publik i cili i vendosur përballë pyetjes : “A ka diçka për të cilën dëshiron t’u kërkosh ndjesë shqiptarëve?!” përgjigjet;
” Ndjesë?! Për çfarë të kërkoj ndjesë?!”
Në të vërtetë institucioni i ndjesës nuk është i pranishëm në mendjen e çdo njeriu. Ky institucion kërkon një dozë karakteri dhe një dozë përulësie që të ndërtohet brenda individit.
Kryeministri refuzon të kërkojë ndjesë.
Kryeministri refuzon të paraqesë një program qeverisës për mandatin e katërt.
Kryeministri refuzon të mbajë përgjegjësi për ekipin qeveritar që e ka në burg ose drejt burgut.
Kryeministri refuzon të bëjë debat televiziv me kundërshtarin politik.
Kryeministri refuzon gjithçka dhe gjithkënd veç vetes së tij.
Kryeministri pranon të hedhë valle me ministret e tij në shesh dhe këtë t’ua servirë shqiptarëve si program të mirëfilltë qeverisës që do të pajisë shqiptarët me Pasaportë Evropiane.
Kryeministri pranon të etiketojë të gjithë shqiptarët që nuk votojnë Partinê Socialiste si ” çyrykë, autikë, kënetë”.
Kryeministri pranon të lëshojë ftesë publike për të gjithë shqiptarët që të mos dalin në votime nëse nuk votojnë Partinë Socialiste.
Post Scriptum- Kryeministri ka harruar prej vitesh që është kryeministër. E vetmja gjë që kryeministri kujton sistematikisht është etja për pushtet të papërligjur dhe fyerja për këdo që nuk e përligj pushtetin e tij.
The post Mandati privat versus mandati publik appeared first on GAZETA STANDARD.