Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka dalë në përfundimin se menaxhimi i mbetjeve spitalore në vend paraqet problematika në disa aspekte. Referuar raportit që ka në thelb tematikën “Respektimi i standardeve në trajtimin dhe eliminimin e mbetjeve spitalore, në parandalimin e rrezikut për shëndetin e personelit shëndetësor, pacientëve dhe mbrojtjen e mjedisit” problematikat duket se nisin nga magazinimi tek aspektet e kostove.
Konkretisht audituesit raportojnë se dokumentimi i mbetjeve gjatë procesit të menaxhimit paraqet mangësi dhe nuk ka një standard të unifikuar në të gjithë spitalet. Nga të dhënat e 39 spitaleve në vend rezulton se janë shpenzuar në disa vite pak më shumë se 5 milionë euro.
“Nga të dhënat e paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale(MSHMS) për 39 spitale publike rezulton se, gjatë 4 viteve buxhetorë së bashku për evadimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme me operatorë ekonomikë janë shpenzuar rreth 517,632,900 lekë ose rreth 129,408,225 lekë/vit.
Evidentohet trend rënës sa i përket shpenzimeve të kryera, ku gjatë vitit 2023 janë shpenzuar rreth 15% më pak fonde se në vitin 2020. Megjithatë 10% e këtij efekti vjen nga ulja e kostove të QSUT “Nënë Tereza” e cila nga 15.9 milion lekë në vitin 2020 ka arritur në rreth 2.7 milion lekë shpenzime të raportuara për vitin 2023” thuhet në raportin e KLSH.
Teksa një pjesë e menaxhimit bëhet përmes kontratave me privatët një pjesë tjetër bëhet përmes autoklavave që kanë të instaluar vetë spitalet por jo të gjithë kanë funksionale një të tillë.
“Megjithëse në disa spitale publike të vendit kryhet procesi i sterilizimit nëpërmjet autoklavave, në MSHMS nuk gjendej një strukturë e cila të dispononte informacion lidhur me këto procese.
Autoklavat në procesin mekanik të tyre janë enë nën presion e si të tilla sa i përket funksionit mekanik i nënshtrohen kontrolleve periodike të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, ndërkohë sa i përket sasive të përpunuara, standardeve në mënyrën e funksionimit, dokumentacionit të përdorur, raportit kosto-efektivitet për përdorimin e tyre duhet të ishin rregullisht pjesë e politikave të MSHMS” thuhet në raport.
KLSH vëren se magazinimi i mbetjeve spitalore gjithashtu shfaq problematika nga njëri spital në tjetrin. Konkretisht në spitali rajonal Vlorë dispononte ambiente ruajtje të posaçme në secilin pavijon për mbetjet dhe po kështu për ambalazhet dhe dhomat e frigoriferëve. Ndërkohë ambienti i magazinimit paraqitej i papërshtatshëm dhe gjatë viteve të fundit nuk ka patur investime për këtë qëllim.
Në Spitalin Rajonal Durrës nuk disponoheshin ambiente të veçuara për ruajtjen në pavijon të mbetjeve në të gjitha rastet Në Spitalin Rajonal Shkodër ambienti për përpunimin me autoklavë ndodhej shumë afër spitalit dhe nuk paraqiste kushte të përshtatshme për ruajtjen e mbetjeve deri në përpunimin e tyre.
Në hyrje të këtij ambienti ndodheshin edhe koshat e mbetjeve urbane të spitalit. Në spitalin rajonal Korçë autoklava gjendet e instaluar në të njëjtin ambient me kaldajën e spitalit ku temperaturat rriten ndjeshëm, krijohen problematika në përhapjen e infeksioneve në ajër. Po në të njëjtin ambient ndodhet dhe frigoriferi i mbetjeve.
Raporti i audituesve verën se thuajse në të gjitha rastet kontraktimi i operatorëve ekonomikë për trajtimin e mbetjeve është realizuar me llojin e kontratës “Marrëveshje kuadër” dhe në periudha të ndryshme evidentohet se, lidhja e kontratave të reja nuk është iniciuar në kohë dhe kjo ka krijuar në periudha të ndryshme grumbullime sasish për të cilat janë ndjekur procedura të përshpejtuara për trajtimin e tyre.
Sipas KLSH në kontratat e spitaleve vihet re një luhatje e konsiderueshme midis çmimit minimal dhe atij maksimal të aplikuar për çdo vit madje edhe kur operatori është i njëjti. Në disa kontrata aplikohej çmim i njëjtë për të gjitha kodet e mbetjeve ndërsa në të tjera aplikoheshin çmime të ndryshme brenda të njëjtës kontratë./Monitor
The post Mbetjet spitalore, KLSH: Probleme me menaxhimin, magazinimin e çmimet e diferencuara appeared first on Lapsi.al.