Regjisori James Foley ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare.
Ai vdiq pas një beteje disavjeçare me kancerin në tru, sipas përfaqësuesit të tij.
Kreditet e tij përfshijnë filmat klasikë si “At Close Range” (1986), “Glengarry Glen Ross” (1992), “Fear” (1996) dhe dy filmat e fundit të sagës me Dakota Johnson “Fifty Shades of Grey”: “Fifty Shades Darker” (2017) dhe “Fifty Shades Freed” (2018).
Në televizion, ai ka drejtuar disa episode të serialit të Netflix “House of Cards,” serialit të njohur të Showtime “Billions,” dhe serialit misterioz të David Lynch “Twin Peaks.”
I lindur më 28 dhjetor 1953, Foley u rrit në New York para se të studionte për film në New York University dhe më pas në University of Southern California në Los Angeles.
Vite para ndarjes së tij të dhimbshme nga jeta, Foley ka thënë se një takim i rastësishëm me regjisorin dhe montazhierin Hal Ashby gjatë vitit të fundit në shkollën e filmit i dha shtysë karrierës së tij mbi 30-vjeçare pas kamerës.
Debutimi zyrtar i Foley-t ndodhi në vitin 1984 me dramën romantike “Reckless,” me aktorët Aidan Quinn dhe Daryl Hannah. Projekti i tij i radhës ishte videoklipi për këngën e Madonnës “Dress You Up” në vitin 1985.
Ai vazhdoi bashkëpunimin me Mbretëreshën e Pop-it duke xhiruar videot për këngët “Live to Tell,” “True Blue,” “The Look of Love,” dhe të tjera.
Gjatë karrierës së tij, Foley punoi me disa nga aktorët më ikonë të Hollivudit, përfshirë Sean Penn dhe Christopher Walken në “At Close Range”; Al Pacino, Alec Baldwin, Ed Harris, Alan Arkin dhe Kevin Spacey në “Glengarry Glen Ross”; Mark Wahlberg dhe Reese Witherspoon në “Fear”; Gene Hackman dhe Chris O’Donnell në “The Chamber”; dhe Halle Berry me Bruce Willis në “Perfect Stranger.”
Një përvojë jo e mirë në xhirimet e “Perfect Stranger” thuhet se e shtyu regjisorin të merrte një pauzë nga regjia, derisa më pas mori përsipër drejtimin e sagës “Fifty Shades.”
“Për arsye të ndryshme, nuk ishte përvoja më e mirë që kam pasur,” tha ai për FilmInk në vitin 2022 në lidhje me thriller-in me Berry dhe Willis. “U tërhoqa pak pas asaj periudhe.”
Ai ndau gjithashtu sekretin e karrierës së tij të gjatë dhe të larmishme: “Jam tepër i përfshirë në çdo gjë,” shpjegoi James. “Duhet të dish kur të aplikosh ose të heqësh presion. Duhet t’u tregosh aktorëve që ke ndjeshmëri ndaj tyre. Aktorët më të mirë duan të drejtohen.”
“Kur je në të njëjtën gjatësi vale me ta,” shtoi ai, “merr rezultate të jashtëzakonshme.”
The post Ndahet nga jeta regjisori i “ Fifty Shades of Grey” appeared first on Lapsi.al.