Mëngjesin e sotëm, është mbledhur Komisioni për Çështjet Europiane, i vetmi që nuk do të bojkotohet nga Partia Demokratike, teksa si pikë të rendit të ditës ka shqyrtimin e draft-pozicionit negociues për grupimin e parë të kapitujve “Themelorët”, për negociatat për antarësimin në BE.
Një prej anëtarëve të këtij komisioni është edhe ish-ministrja Olta Xhaçka, për të cilën opozita akuzon socialistët se me urdhër të Edi Ramës janë kthyer në një mburojë për të në Kuvend, për t’ia çuar mandatin e deputetit deri në fund.
Me bashkëshortin Artan Gaçi të shpallur “investitor strategjik” dhe në disa afera të përfshira për të cilat SPAK po heton, Olta Xhaçka do na tregojë se sa hapa para ka bërë Shqipëria për t’u integruar në BE.
Deputetët socialistë, kanë votuar dy herë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mandatin e Olta Xhaçkës, teksa herën e fundit abstenuan dhe i kërkuan opinion Komisionit të Venecias për ta zvarritur çështjen.
Xhaçka akuzohet nga opozita se është në konflikt interesi, duke përfituar të mira publike, për shpalljen e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi investitor strategjik nga Qeveria në kohën kur ajo ishte ministre e Jashtme.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqjas dhe Koço Kokëdhimës.
Pas aktit të socialistëve, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë reagoi i shqetësuar, duke e konsideruar si një hap në drejtimin e duhur dhe se sipas perëndimorëve, Kuvendi duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, vetëm disa ditë më parë ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, hodhi akuza për korrupsion në lidhje me ligjin për investimet strategjike dhe i bëri thirrje Qeverisë që ta rishikojë.
“Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi “ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit”, – tha Gonzato.
The post Olta Xhaçka duke na “integruar” në Bashkimin Europian appeared first on Albeu.com.