Një operacion i gjerë me të paktën tetë shtetas të arrestuar është organizuar dhe finalizuar nga Policia e Shtetit në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë. Në pranga ka rënë një çift bashkëjetuesish që dyshohet se janë drejtuesit e grupit, si dhe shpërndarësit.
Gjatë zhvillimit të këtij operacioni gjashtëmujor, janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë lëshuar 9 urdhra ndalimi, nga të cilët janë ekzekutuar 8 dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
“Shko merr fantat”, “më sill 3 pica”, ishin disa nga kodet dhe mënyra që kishin zgjedhur anëtarët e këtij grupi, të cilat nënkuptojnë dozat e drogës që kërkonin klientët.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një pune të mirëfilltë hetimore gjashtëmujore me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kodra e Diellit 3”.
Indicja fillestare për këtë grup raportohet se ishte marrë nga banorët e lagjes në zonën e Kodrës së Diellit, të cilët ishin ankuar në Polici për trafikun e rënduar në lagjen e tyre, pasi aty qarkullonin shumë mjete që nuk ishin të tyre.
Ata kishin dyshuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe e kishin raportuar pranë autoriteteve. Gjithashtu, banorët i trembeshin dhe sigurisë së fëmijëve të tyre, pasi disa nga të rinjtë e arrestuar qëndronin në zonën ku qëndronin fëmijët e lagjes.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve:
Herald Rexhepaj, 35 vjeç,
Viola Bendaj, 31 vjeçe,
Arolf Harizi, 19 vjeç,
Arlind Aga, 20 vjeç,
Xhersildo Arifllari, 21 vjeç,
Dashamir Shehu, 46 vjeç,
Devis Saliaj, 19 vjeç,
Indrit Gjoshi, 22 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë”, njofton Policia e Tiranës.
Përsa i përket drejtuesit të këtij grupi, ai dyshohet se është shtetasi Herald Rexhepaj, 35 vjeç. Ky shtetas është ndaluar dhe në Prill 2023 teksa tentonte të futej në territorin shqiptar, përmes Kosovës, me një Mercedes Benz të mbushur me doza kanabisi dhe kokaine.
Është e paqartë sesi ky shtetas është liruar nga qelia dhe vijonte aktivitetin kriminal të shitjes së kanabisit dhe kokainës në lagjet dhe lokalet e natës të Tiranës.
The post Operacioni te “Kodra e Diellit”: Banorët e lagjes u ankuan për trafikun e makinave, Policia zbuloi rrjetin e kokainës appeared first on Shekulli.