Burgosja e Ervin Salianji ka ndezur fitilin e protestave të opozitës, që prej muajsh kërkon qeveri teknike për organizimin dhe mbikqyrjen e zgjedhjeve parlamentare të 2025. Protesta që nis të hënën e 7 Tetorit është konceptuar si përgjigje për arrestimet në radhët e atyre që janë rreshtuar kundër pushtetit, që nga burgosja e Fredi Belerit në Himarë 2 ditë para zgjedhjeve lokale, tek arrestimi i Sali Berishës për vendimet kur ishte kryeministër dhe së fundmi, burgosja e Ervin Salianjit për denoncimin që i bëri vëllait të Fatmir Xhafajt, i dënuar për trafik droge në Itali.
Protesta ishte parashikuar për të dielën në 6 tetor, por data ka ndryshuar dhe bashkë me të edhe mënyra se si do të protestohet. Këtë la të kuptohet në fjalën që mbajti në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Sali Berisha kur foli për një tubim që e kalon opozitën në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile dhe që e paralizon qeverinë anekënd vendit.
“Ne do kalojmë në sulm. Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vendit këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve. Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente.
Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Këto instrumente nuk janë 700 mijë shqiptarë që na kanë votuar zgjedhjet e fundit, jo, mjaftojnë vetëm disa mijëra prej tyre që sot janë gati në këmbë për rezistencë të qëndrueshme, pa kthim, deri në fitore, por presin udhëheqjen tuaj, frymëzimin tuaj, orientimin tuaj, organizimin tuaj, mobilizimin tuaj.
Ndaj dhe kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës. Për përgjigjen tonë me datën 7 tetor. O sot o kurrë, pa kthim, të paralizohet qeveria gjer në vendosjen e qeverisë teknike. Është radha jonë dhe ne do i qëndrojmë” tha Berisha.
Lexo edhe: Salianji-Beleri/ Si po pranojnë gjykatat dëshmitarët e manipuluar nga policia
Me burgosjen e Salianjit është bërë akoma më e qartë se arrestimet dhe ndjekjet penale në radhët e opozitës, nuk burojnë nga “mëkatet” e pushtetit para vitit 2013 si në rastin e Berishës, apo “arsyet shtetërore” me të cilat justifikohet ndëshkimi për Belerin. Ajo që ndodhi me Salianjin ishte fund e krye hakmarrje politike, që dëshmoi se proceset gjyqësore nga sistemi i dalë nga reforma në drejtësi po bëhen për ta asgjësuar opozitën, që edhe kështu, është në ditët e saj më të vështira.
Duke iu referuar mënyrës se si u ngrit akuza ndaj Salianjit, si u gjykua dhe se si u burgos deputeti i PD-së, Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se “prej dy ditësh, Shqipëria nuk është më e njëjta” dhe se ajo që ndodhi me Salianjin është “deklaratë lufte” nga Edi Rama.
“Ne reaguam në mbrojtje, ne reaguam për mbijetesë. Ne reaguam për të garantuar shqiptarëve opozitën sovrane, për të cilën vendosin anëtarët e saj dhe askush tjetër. Mirëpo, çdo njëri prej jush, çdo demokrate e demokrat, duhet ta ketë të qartë se pas të gjitha këtyre, shqiptarët nuk na duan të qëndrojmë në mbrojtje. Se pas të gjitha këtyre, shqiptarët presin nga ne sulm dhe vetëm sulm” tha Berisha.
Salianjin, që tashmë është në një qeli në burgun e Fierit, Berisha e quajti një “guximtar”, “politikan në moshë të re, që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritare”. E theksoi këtë për të kujtuar se gjithkush është i rrezikuar, gjithkush që guxon të ngrejë zërin ndaj korrupsionit apo krimit të lidhur me pushtetin e Ramës.
Mbetet për t’u parë nëse ajo e 7 tetorit do të jetë tubimi i zakonshëm i opozitës, kur qytetarët thirren në shesh, por kthehen në shtëpi pasi kanë dëgjuar disa fjalime. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Edi Paloka mësohet të ketë thënë se në protestë parashikohet tubim përballë kryeministrisë dhe më pas bllokimi i rrugëve të Tiranës, pasi nuk do të ketë fjalime./Lapsi.al
The post Opozita në protestë pas burgosjes së Salianjit/ Berisha: Rama, deklaratë lufte! appeared first on Lapsi.al.