Fusha e mbetjeve në Elbasan u përfshi nga zjarri rreth orës 15:00 të së hënës, në një kohë kur një makineri e kompanisë publike që menaxhon landfillin ishte duke punuar brenda tij. Flakët, të një zjarri të përsëritur në tre vitet e fundit, u përhapën me shpejtësi.
Leli Kaja, administratori i EcoElb, kompanisë publike që menaxhon landfillin, tha se zjarri ishte pasojë e temperaturave të larta dhe tejmbushjes.
“Zjarri ka ardhur për shkak të temperaturave të larta. Unë nuk merrem me hamendësime. Është e drejta e secilit të thotë çfarë mendon. Unë jam në këtë mal me mbetje dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për ta fikur,” tha Kaja. I pyetur nëse kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri, Kaja tha se do ta menaxhonin vetë situatën.
Ndërkohë, i kontaktuar nëpërmjet WhatsApp-it, kryebashkiaku Gledian Llatja nuk komentoi për situatën e krijuar deri në publikimin e këtij shkrimi.
Temperaturat e larta, deri në 40 gradë, duket se kanë favorizuar zjarrin, të cilin janë angazhuar ta fikin mjetet e bashkisë. Kjo e fundit, në një njoftim në Facebook, tha se po përballej me 4 vatra aktive zjarri.
“Prej disa orësh po përballemi me një situatë të rënduar nga zjarret. Në pak orë, disa vatra zjarri kanë përfshirë ullishten në pjesën veriperëndimore, pyllin me pisha në verilindje, një vatër pranë fshatit Samurr dhe së fundmi po përballemi me një situatë të rëndë zjarri në landfill,” thuhet në njoftim.
Përfaqësues të opozitës iu rikthyen akuzave mbi aferën e inceneratorëve. Blendi Himçi, deputet i zgjedhur, e cilësoi zjarrin si një akuzë publike ndaj kryeministrit Rama.
“Tymi që mbulon sot Elbasanin është akuza më e madhe publike ndaj Edi Ramës dhe vasalit të tij në Elbasan,” tha ai. Ai kërkoi hetime të thelluara për çështjen.
Situata në landfillin e Elbasanit është prej kohësh e rënduar. Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak në mars të këtij viti, ku u diskutua kontrata e re me kompaninë EcoElb, nënkryetari i këshillit Zamir Muzhaqi tha se qyteti kishte nevojë për një landfill të ri.
“Ne do të depozitojmë një memo për të marrë masa që të kemi një vendgrumbullim të ri,” tha Muzhaqi gjatë kësaj mbledhjeje.
Inceneratori i Elbasanit është i vetmi impiant i përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik-privat të qeverisë shqiptare, të hetuara për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Zyrtarë të lartë, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, janë gjetur fajtorë për abuzime me këto kontrata. Pavarësisht se është i përfunduar, ai ka pasur vazhdimisht defekte dhe ka punuar vetëm për pak kohë. BIRN gjeti se problemet e inceneratorit krijuan një mal me mbetje që do duhej të ishin djegur. /Reporter.al
The post Pse u përfshi nga zjarri landfilli i mbetjeve në Elbasan appeared first on Lapsi.al.