Ka nisur numërimi mbrapsht në kampin e PSG për finalen e Champions League kundër Inter. Francezët nuk duan të rrezikojnë me ngarkesë të tepërt për disa nga yjet e tyre, ose edhe më keq – me ndonjë dëmtim, ndaj kanë marrë një vendim të menjëhershëm: shtatë lojtarë të Luis Enrique do të mund të shijojnë disa ditë relaksi, një lloj mini-pushimi. Një vendim që megjithatë ka shkaktuar edhe polemika në Francë.
Kush janë lojtarët e PSG-së që janë dërguar me pushime
Në një komunikatë zyrtare, Paris Saint-Germain ka bërë të ditur se Gianluigi Donnarumma, Achraf Hakimi, Marquinhos, Nuno Mendes, Willian Pacho, Fabian Ruiz dhe Vitinha nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e kampionatit kundër Montpellier që luhet të shtunën më 10 maj. Ata do të përfitojnë nga disa ditë pushimi pas lodhjes së akumuluar në gjysmëfinalen kundër Arsenal. Kthimi i tyre në stërvitje është parashikuar për të mërkurën e ardhshme, “në marrëveshje me drejtuesit sportivë dhe stafin teknik”.
En accord avec la direction sportive et le staff technique, Gianluigi Donnarumma, Achraf Hakimi, Marquinhos, Nuno Mendes, Willian Pacho, Fabian Ruiz et Vitinha sont laissés au repos. Ils reprendront l’entraînement collectif mercredi prochain.
— Paris Saint-Germain (@PSG_inside) May 9, 2025
Polemika për vendimin e PSG në Francë
Nga ana tjetër, ndeshja kundër Montpellier nuk ka më asnjë rëndësi për renditjen në Ligue 1 për një PSG që tashmë është kampion i Francës. Një mundësi për Luis Enrique që të bëjë rotacione dhe t’u japë pushim lojtarëve kyç, ndoshta jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në atë pasuese kundër Auxerre. Një mënyrë për të mos rrezikuar asgjë, duke pasur parasysh që në horizont janë finalja e Kupës kundër Reims dhe mbi të gjitha ajo e Champions League më 31 maj, kundër Interit.
Por ky vendim ka ngjallur polemika në Francë, siç shihet edhe nga komentet në rrjetet sociale të PSG-së. Shumë tifozë janë ankuar për këtë mënyrë të “nënvlerësimit” të kampionatit, madje disa kanë folur edhe për kampionat të deformuar, pasi PSG – që vjen nga dy humbje radhazi – rrezikon të thellojë krizën. Kjo, ndonëse as Montpellier e as Auxerre nuk kanë më objektiva në kampionat.
Dallimet me Inter
Shumë ndryshe është qasja e PSG dhe Inter për finalen e Champions. Skuadra franceze mund t’i lejojë vetes luksin e pushimeve dhe rotacioneve të shumta në kampionat, ndryshe nga zikaltrit. Këta të fundit me siguri do të përdorin ndërrime në formacion, por nuk mund të teprojnë, pasi janë ende në garë për titullin kampion dhe për ndjekjen ndaj Napolit kryesues.
The post PSG nis 7 lojtarë me pushime për t’i çlodhur para finales me Inter: plasin polemikat appeared first on Lapsi.al.