Policia e Tiranës ka vënë në pranga Florian Buçkan, 46 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim. 46-vjeçari u dënua me 7 vjet e 3 muaj burg për drogë dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Ali Demi”, në bashkëpunim dhe me Seksionin e Narkotikëve u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit: Florian Buçka, 46 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 7 vjet e 3 muaj burgim për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh dhe “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve në burg”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
The post Shitje narkotikësh dhe futje sendesh të ndaluar në burgje, arrestohet 46-vjeçari appeared first on Lapsi.al.