Një tjetër protestë është zhvilluar pasditen e sotme para Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me skandalin në spitalin Onkologjik, ku mungojnë sërisht medikamentet, ndërsa pacientët detyrohen të presin në rradhë dhe nuk marrin zgjidhje pasi pajisja e kimio-terapisë me rreze është jashtë funksionit.
Gazetari Osman Stafa duke marrë fjalën në protestë tha se ajo që po ndodh në këtë spital është krim, është vrasje.
Ai u shpreh se gjithë kjo situatë po përpiqet të kalohet duke ua hedhur fajin mjekëve, ndërkohë që ata janë hallka e fundit.
“Mjekët janë hallka e fundit, institucioni që duhet të sigurojë kimiot është Ministria e Shëndetësisë. Pancientët presin me muaj, po ku njeh kanceri listë-pritjeje, ku pret kanceri tenderat?
A është vrasje kjo, a është krim”, tha gazetari Stafa, i cili prej muajsh denoncon situatën e vështirë në Onkologjik, ku mungojnë medikamentet.
Ndërkohë një tjetër gazetar, Renaldo Salianji tha se nëse milionat e konçensioneve në shëndetësi do të përdoreshin siç duhet, atëherë do të ishin zgjidhur shumë nga problemet që ka sot shëndetësia.
“Me 400 mln euro të konçensioneve në shëndetësi mund të ishin blerë 4 mln flakone të medikamenteve të kimio-terapisë.
Në një vit duhen 100 mijë flakone, pra do të ishin siguruar flakonet për 40 vitet e ardhshme.
Nëse marrim mungesën e shtretërve, pasi ata që marrin kimio në Onkologjik, rrinë 10 vetë rreth një tavoline, me krahun e shtrirë.
Nëse marrim vlerën mesatare të një shtrati 100 euro, ja po ia shtojmë edhe 100 euro për ministren e Shëndetësisë, po i shtojmë edhe 100 euro për tenderin, pra 300 euro një shtrat, do ishin blerë 1,3 mln shtretër.
Mungesa e aparatarurave të radio-terapisë, një aparaturë e fjalës së fundit që shërben për rreze, është 2 mln euro.
Ja ti shtojmë edhe 1 mln euro për ministren dhe drejtoreshën e QSUT, pra 3 mln euro një pajisje, do të ishin blerë 133 pajisje të tilla për radio-terapinë.
Pacientët vuajnë për hapësira. Nëse llogarisim sa kushton një spital, atëherë marrim kostotn e spitalit Memorial në Fier, i cili ka kushtuar 60 mln euro.
Por ne nuk i duam aq spitale të mëdha, pra le të jenë sa gjysma e tij, me një kosto 30 mln euro.
Atëherë me paratë e koncensioneve të shëndetësisë, duke marrë këtë koston 30 mln euro, do të kishim 14 spitale të reja”, tha Salianji.
The post Skandali tek spitali i Onkologjikut, tjetër protestë para Ministrisë së Shëndetësisë appeared first on Albeu.com.