Ndërsa kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, kandidatët rivalë Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen të fitojnë mbështetjen e komunitetit LGBTQ+.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot njofton nga qyteti Los Anxhelos në Kaliforni se votat e këtij grupi mund të bëjnë një ndryshim në shtatë shtetet fushëbetejë që mund të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Rreth 15 vjet më parë, Candis Cayne ndihmoi në normalizimin e personazheve transgjinorë në televizionin amerikan me rolin e saj në filmin serial “Dirty Sexy Money”.
Ajo thotë se të drejtat e grupit LGBTQ+ do të rrezikohen nëse kandidati republikan, Donald Trump, e fiton Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk mund të bëjmë hapa prapa. Partia Republikane po përpiqet të na rikthejë në një kohë ku vetëm një pjesë e caktuar e njerëzve kishin të drejta, kjo është vërtet e rëndësishme dhe e frikshme. Shpresojmë se populli do të bëjë gjënë e duhur”, thotë aktorja Candis Cayne.
Arthur Liu e mbështet zotin Trump për shkak të arritjeve kur ishte president. Ai thotë se demokratët e kanë përkeqësuar situatën.
“Më pëlqejnë rezultatet që pati, sepse ekonomia ishte shume mirë. Kishte probleme në kufi por nuk ishte kaq keq”.
Një sondazh nga organizata “Pew Research”, i publikuar në muajin qershor, tregon se rreth gjysma e mbështetësve të kandidatit Trump thonë se legalizimi i martesës së të njëjtës gjini ka patur ndikim negativ në shoqëri.
David Keen thotë se zoti Trump nuk përbën kërcënim për martesat e homoseksualëve.
“Ai është pro martesës së të njëjtës gjini, sepse e kupton martesën, përveçse një rituali fetar që ka të bëjë me kishën. Ai nuk ka probleme me dokumentin ligjor që mbron një çift. Ai është nga Nju Jorku dhe ishte tejet liberal. Ndoshta, ai është republikani më liberal që kemi patur ndonjëherë”.
Shkencëtarja Arielle Johnson druhet se zoti Trump përbën rrezik për martesat mes të njëjtës gjini dhe mund të rrezikojë çështjen e emigracionit për bashkëshortin e saj.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, ajo thotë se shqetësimi i saj kryesor janë kufizimet e republikanëve për të drejtat riprodhuese, përfshirë fekondimin invitro.
“Jam e diagnostikuar me endometriozë. Nëse unë dhe partneri im vendosim të kemi fëmijë, ka të ngjarë që të ndodhë përmes fekondimit invitro, çka është një çështje e diskutueshme”.
Organizata më e madhe e republikanëve LGBTQ+ zhvilloi tubime në mbështetje të kandidatit Trump në shtetet fushëbetejë Miçigan, Xhorxhia, Uiskonsin, Karolinën e Veriut, Pensilvani, Arizonë dhe Nevada.
Komiteti Kombëtar Demokrat financoi këtë muaj një fushatë mediatike në mbështetje të kandidates Harris me temën “Unë do të votoj” si dhe reklama në 16 publikime të komunitetit LGBTQ+.
Sondazhi i muajit të kaluar nga grupi për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, “Fushata për të Drejtat e Njeriut” gjeti se më shumë se 90% e këtij komuniteti janë regjistruar dhe të motivuar të votojnë. Sipas sondazhit, rreth 67% e këtij komuniteti e mbështesin demokraten Kamala Harris.
The post Trump, Harris fushatë për të fituar mbështetjen e komunitetit LGBTQ+ appeared first on Albeu.com.