Doli këtë të martë trajleri për vazhdimin filmit të famshëm “Gladiator” të regjisorit Ridley Scott. Në të shfaqen disa skena epike, duke përfshirë një betejë mbi ujë në Koloseumin e Romës dhe aktorin Paul Mescal duke u përplasur nga një rinoceront.
Mescal luan rolin e Lucius që përpiqet dhe lufton për jetën e tij si gladiator, pavarësisht statusit të tij të lartë që ka pasur si nip i ish-perandorit të korruptuar Commodus.
Filmi i parë i vitit 2000, ku Russell Crowe luajti rolin e Maximus, ushtarin e kthyer në gladiator, fitoi 5 çmime Oscar duke përfshirë edhe aktorin më të mirë.
Traileri nis me Lucius që kujton fëmijërinë e tij, kur ish-komandanti romak Maximus u përball me xhaxhanë e tij në arenë.
“Më kujtohet ajo ditë. Nuk e harrova kurrë, që një skllav mund të hakmerrej kundër një perandori” – thotë Lucius, përpara se ta shohim atë në një rikthim në filmin e parë, duke u tërhequr zvarrë nga nëna e tij.
Komploti në atë kohë u vërtit rreth gjeneralit të shquar romak, Maximus Decimus Meridius, të cilit iu kërkua të trashëgonte rolin e perandorit nga Marcus Aurelius i sëmurë. Por Commodus vrau perandorin dhe mori titullin e tij, përpara se të vriste familjen e Maximus dhe ta bënte atë skllav. Maximus u ngrit për t’u bërë një gladiator, duke u kthyer në Romë për të marrë hakmarrjen e tij.
Enciklopedia e Historisë Botërore i përshkruan garat e gladiatorëve si “argëtim të përgjakshëm… një mundësi për perandorët për të shfaqur pasurinë e tyre”, ku deri në 50 mijë spektatorë shijonin “gara që ishin fjalë për fjalë çështje jete dhe vdekjeje”.
Disa beteja përfshinin kafshë të egra. Gladiatori i parë shfaqi tigra në arenë, ndërsa tashmë duket një rinoceront me një bri të gjakosur që sulmon aktorin Mescal.
Është e drejtë të thuhet se filmi i parë shkaktoi një stuhi emocionesh mes admiruesve të portretizimit të fuqishëm që Crowe i bëri Maximus.
Mescal është një aktor i ri, por ka marrë vlerësime nga kritika në dramën e BBC-së “Normal People”.
BBC shkruan se është e mundur që edhe roli i tij në “Gladiator II” mund të ketë një ndikim të ngjashëm.
Lucius padyshim që të kujton Maximus që nisi luftën nga poshtë duke pasur në kokë një qëllim shumë më të lartë.
Lucius është kapur larg shtëpisë së tij dhe u soll atje si i burgosur. Ai bëhet një gladiator, duke punuar për Macrinus, që luhet nga Denzel Washington, i cili sponsorizon luftëtarë njësoj si Proximus i luajtur nga Oliver Reed në filmin e parë.
Lucius mbron të drejtën e tij të lindjes, duke thënë se nuk e di se ku ka lindur, duke shtuar: “Unë kurrë nuk kam njohur nënën dhe babanë”. “Ti do të jesh instrumenti im” – i përgjigjet Macrinus.
Duket se perandorët binjakë që qeverisin vendin të luajtur nga Joseph Quinn dhe Fred Hechinger janë gjithashtu të korruptuar. Në trajler i shohim ata të qeshin në mënyrë demoniake, ndërsa gladiatorët vdesin në betejën e tyre.
Nëna e Lucius, Lucilla, e luajtur nga Connie Nielsen njëlloj si në filmin origjinal, shikon me tmerr ndërsa djali i saj lufton poshtë saj, megjithëse akoma nuk e dimë nëse ajo e njeh atë.
Megjithatë ne e shohim atë duke i dhënë atij një unazë që i përkiste gjeneralit romak Maximus para se të vdiste. Ashtu si në origjinal, filmi duket se ka të bëjë me korrupsionin e pushtetit, me individë të denjë dhe të luftuar që marrin fuqinë e sundimtarëve të Romës.
Lucius lufton për “forcën dhe nderin”, ndërsa një tjetër gjeneral romak, Marcus Acacius, i luajtur nga Pedro Pascal, thotë: “Unë nuk do të humbas një brez tjetër të rinjsh për kotësinë e tyre”. Ne ende nuk dimë mjaftueshëm për personazhin e Paskalit për të ditur se ku qëndron plotësisht morali i tij.
Traileri përfundon me Meskal dhe Paskal që luftojnë në arenë, me gladiatorin që duket sikur ka avantazhin, pasi mban dy shpata të kryqëzuara mbi qafën e gjeneralit. Komentet fillestare në X ishin një përzierje e pozitive dhe negative.
Disa njerëz ishin të emocionuar për vazhdimin, ndërsa të tjerë thanë se nuk do të ishte aq i mirë sa origjinali. Kishte gjithashtu pakënaqësi në mediat sociale edhe për kolonën zanore, e cila ishte “No Church in the Wild”, nga Jay-Z dhe Kanye West.
Sir Ridley, i cili bëri filmin epik të vitit 2023 të nominuar për Oscar dhe Bafta, “Napoleon” tha vitin e kaluar se e bëri “Gladiator II” sepse “ekonomikisht, ka kuptim.
Mendova se filmi i parë ishte, si të thuash, krejtësisht i kënaqshëm, i kompletuar kreativisht, kështu që pse të turpërohesh me një të dytë? Megjithatë këto cikle vazhdojnë dhe vazhdojnë. Ato përsëriten globalisht për 20 vitet e fundit. Filloi të shprehej si një gjë e qartë për t’u bërë, dhe kështu evoluoi.”
“Gladiator II” do të shfaqet në kinema në nëntor. ©BBC, LAPSI.al
LEXO EDHE: Incident në xhirimin e filmit “Gladiatori 2”, plagosen 6 persona
“Gladiatori” rikthehet në Romë pas 19-vitesh
Gladiatori’ i Romës është lacial: Russell Crowe dhe motivi i çuditshëm përse është tifoz me Lacion
The post VIDEO/ Del trajleri i “Gladiator II”, si vazhdon filmi ikonë i Ridley Scott appeared first on Lapsi.al.