Në hapjen e javës së 16-të të Bundesliga, Bayer Leverkusen arriti një fitore të rëndësishme jashtë fushe duke mposhtur Borussia Dortmund me rezultatin 3-2 në Signal Iduna Park. Ndeshja nisi në mënyrë elektrizuese, me Nathan Tella që zhbllokoi shifrat pas vetëm 25 sekondash. Tetë minuta më pas, Patrick Schick dyfishoi rezultatin për ekipin e teknikut Xabi Alonso. Borussia u kthye në lojë me golin e Gittens në minutën e 12′, por vetëm shtatë minuta më vonë, Schick realizoi dygolëshin e tij, duke çuar rezultatin në 3-1. Goli i Guirassy nga penalltia në minutën e 79′ nuk mjaftoi për të ndalur Leverkusen-in.
Start blitz i Leverkusen
Borussia Dortmund nuk ia doli të ndalë Bayer Leverkusen-in, që me këtë fitore ngjitet në 35 pikë, vetëm një pikë larg Bayern Munich-ut, i cili kryeson kampionatin. Vetëm 25 sekonda iu deshën “Aspirinave” për të kaluar në avantazh: Tella shënoi me një gjuajtje të fuqishme nën traversë pasi topi u rikuperua në treçerekun sulmues. Ekipi i udhëhequr nga Xabi Alonso nuk u ndal me kaq dhe dyfishoi rezultatin në minutën e 8-të, kur Hincapié dërgoi një krosim të saktë nga e majta, të cilin Schick e finalizoi me lehtësi.
Përpjekjet e Dortmund dhe goli i dytë i Schick
Megjithatë, ekipi i Nuri Sahin-it (trajnerit të BVB-së) reagoi shpejt dhe ngushtoi diferencën me një gol të Gittens në minutën e 12-të. Shpresa për të barazuar u shua shpejt, pasi vetëm shtatë minuta më pas, Schick shënoi sërish, duke shtyrë në rrjetë një krosim perfekt nga Frimpong. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 3-1 për Bayer Leverkusen, pas 19 minutave të një loje spektakolare.
Goli i vonë i Guirassy nuk mjafton
Në pjesën e dytë, Borussia Dortmund tentoi të rikthehej në lojë, duke rritur intensitetin dhe duke kërkuar golin që do të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Megjithatë, përpjekjet e tyre u konkretizuan vetëm në minutën e 79-të, kur Guirassy shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Bayer Leverkusen ruajti avantazhin dhe e përfundoi ndeshjen me një fitore të rëndësishme 3-2.
Pas kësaj fitoreje, Bayer Leverkusen shkon në kuotën e 35 pikëve, duke qëndruar momentalisht vetëm një pikë larg kryesuesit Bayern Munich. Nga ana tjetër, Borussia Dortmund mbetet në vendin e gjashtë me 25 pikë, duke humbur terren në garën për pozitat e larta në Bundesliga.
The post Video/ Dygolëshi i Schick fundos Dortmund: Leverkusen tani një pikë larg Bayern appeared first on Lapsi.al.