Protesta e qytetarëve në Tiranë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani ka nisur paraditen e sotme. Qytetarë të shumtë kanë nisur marshimin nga shkolla Fan Noli ku dhe ndodhi vrasja drejt në Ministrinë e Arsimit.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare Fan Noli. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj. Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani.
Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili po trajtohet në një spital privat. Pak çaste pas krimit të rëndë autori kishte postuar foto me thikën më të cilin autori kreu vrasjen dhe dorën e tij e gjakosur që u plagos gjatë konfliktit. Po ashtu edhe në aplikacionin “Snapchat”, kishte publikuar një tjetër foto ku shihet i pashqetësuar për krimin që ka kryer.
Bazuar në imazhe, autori ndodhej në një makinë, të cilët dyshohen se e kanë (persona të tjerë) marrë atë nga vendngjarja, menjëherë pas krimit që kishte kryer. Ata që kanë marrë autorin e mitur nga vendi i ngjarjes, dyshohet se janë lajmëruar nga vetë ai dhe kanë ardhur me automjetet e tyre nga Sauku. Sipas informacioneve, ky grup nga Sauku rezultojnë të përfshirë edhe në konflikte të tjera.
The post Vrasja e Martin Canit, nis protesta e qytetarëve në Tiranë appeared first on Lapsi.al.