Gjithnjë e më shumë njerëz në Serbi po kërkojnë ndryshime. Vuçiç ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqje. Aktivistët po përgjohen me pajisje nga Zvicra.
Nga Fabian Eberhard, kryeredakotor i “Blick”
Kriza politike në Serbi po thellohet. Të martën e kaluar kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç dha dorëheqjen. Ndërsa në fudjavë janë mbledhur dhjetëra mijëra demonstrues në Novi Sad, për të shënuar tremujorin e vdekjes së 15 personave nga shembja e një kulmi në një stacion të trenit në këtë qytet.
Kryeministri dha dorëheqje pas protestave të shumta, por kjo nuk ka gjasa të kënaqë lëvizjen e protestës, studentët dhe qindra mijëra njerëz të tjerë që po protestojnë prej tre muajsh. Studentët dhe demonstruesit kërkojnë më shumë – ata kërkojnë reforma të thella dhe shpresojnë ndryshimin e politikës në Serbi, e cila është e afërt me Rusinë.
Përgjimet e regjimit të Vuçiçit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është kapur pas pushtetit dhe po përdor metoda jashtëzakonisht të diskutueshme në përpjekje për të ndalur protestat dhe evituar rënien e tij. Në fund të vitit 2024, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International dhe rrjeti investigativ BIRN njoftuan se qeveria e tij po monitoronte aktivistët dhe gazetarët.
Sipas analizës së të dhënave, autoritetet serbe kanë instaluar ilegalisht spyware në dhjetëra telefona të kritikëve të regjimit. Programet e vëzhgimit shkarkonin foto dhe mesazhe me tekst, dhe përgjonin mikrofonat e shikonin kamerat e kundërshtarëve të Vuçiçit. Ministria e Brendshme e Serbisë dhe shërbimi inteligjent (BIA) i kanë hedhur poshtë akuzat si “të pakuptimta” dhe “të pasakta”. Por dyshimet kanë mbetur.
Teknologji spiunazhi me vlerë dy milionë franga
Hulumtimet e fundit tregojnë se qeveria serbe po mbështetet edhe tek teknologjitë zvicerane për operacionet e saj të spiunimit. Në vitin 2023, autoritetet zvicerane miratuan dërgimin në Serbi të të ashtuquajturave IMSI-catchers, me një vlerë prej gati dy milionë franga.
Këto pajisje shumë të sofistikuara mundësojnë zbulimin e vendndodhjes, përgjimin dhe monitorimin e telefonave celularë. Këto janë pajisje që mund të përdoren për të lexuar Identitetin Ndërkombëtar të Pajtimtarit celular (IMSI) nga karta SIM e një telefoni celular dhe për të përcaktuar vendndodhjen e tij brenda një qelize specifike të rrjetit celular.
Zakonisht përdoret në luftën kundër krimit.
Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (Seco) konfirmoi dorëzimin e këtyre pajisjeve. Sipas zëdhënësit Fabian Mayenfisch, pajisjet e vëzhgimit u eksportuan në institucionet shtetërore në Serbi. Ai nuk ka specifikuar, por me siguri ka qenë Ministria e Punëve të Brendshme apo shërbimi inteligjent BIA. Nuk dihet gjithashtu se cila kompani zvicerane e ka zbatuar kontratën.
Shitja e teknologjisë zvicerane të vëzhgimit shtetit serb është e diskutueshme. Rregullorja për eksportin dhe ndërmjetësimin e mallrave për mbikëqyrje të internetit dhe celularëve ndalon shpërndarjen nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se teknologjia do të përdoret për shtypje në vendin e përdoruesit përfundimtar.
Sot eksportet ndoshta do të refuzoheshin
Për vendimin për eksportimin e IMSI, Seco u konsultua me Ministrinë e Punëve të Jashtme (EDA), Ministrinë e Mbrojtjes (VBS) dhe shërbimin e inteligjencës (NDB). Në fund qeveria dha dritën jeshile. Zëdhënësi i Seco, Mayenfish tha: “Gjatë shqyrtimit individual nuk kishte prova të mjaftueshme që përdoruesi do ta përdorte këtë teknologji për presione e shtypje.”
LEXO EDHE: Si funksionon IMSI-Catcher, pajisja e përgjimit që ndodhet në Tiranë
Sot ndoshta vendimi do të ishte ndryshe. Dëshmia se autoritetet në Serbi po përdorin spyware kundër kritikëve të regjimit tani janë shumë të qarta. Aktivistët dhe gazetarët u thirrën në polici për të ashtuquajturat “intervista informative”, një praktikë e kohës së komunizmit në të cilën personazhet e opozitës u morën në pyetje pa një arsye të qartë. Sipas një raporti të Amnesty International, nga policia u përdor edhe softueri izraelit Pegasus, si dhe softueri serb i vëzhgimit Novispy.
Tani ka mbetur vetëm Vuçiç
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç po qeveris gjithnjë e më shumë duke përdorur metoda autoritare. Media, gjyqësori dhe administrata janë kryesisht nën kontrollin e besnikëve të tij. Por protestat e nisura tre muaj më parë tani po e kërcënojnë seriozisht edhe atë. Vendi është dëshmitar i demonstratave më të mëdha që nga kryengritja kundër Slobodan Millosheviçit në vitin 2000.
Vuçiç, i cili ka qenë në pushtet në funksione të ndryshme që nga viti 2012, ka akuzuar protestuesit se janë nën kontrollin e shërbimeve të huaja inteligjente. Me tërheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç, qeveria serbe shpreson të qetësojë opozitën. A do të ndihmojë kjo sakrificë e kryeministrit? Pas dorëheqjes së tij, protestat kanë vazhduar. Lëvizja protestuese ka vetëm një fajtor për situatën në vend: Aleksandar Vuçiçin. /Lapsi.al, Blick.ch
The post Zvicra i ka shitur Serbisë teknologji për përgjime, Vuçiç po e përdor ndaj opozitës appeared first on Lapsi.al.